Krishti ne mes te historise
Autor:
Femi Cakolli, pastor
Përemërime
Është dëgjuar të thuhet për
Krishtin herë Jezusi, herë Jezus Krishti, herë Biri i Perëndisë, por
edhe emërtime të tjera si Biri i Njeriut, Emanuel, Qengji i
Perëndisë. Të gjitha këto emërtime janë tituj hyjnor të hirësisë së
këtij personi. Trajta Krisht është greke, dhe shqip d.m.th.
I Vajosuri i Perëndisë. Grekët e përkthyen emrin e Krishtit nga
forma hebreje Mesia (prej këtu janë edhe shprehjet: mesianike,
mesiste, mesianik etj.) dhe gjithë kultura perëndimore huazoi nga
substrati grek: Christ, Criste, Hrist, Krist, Cristo,
Krishti etj. Emri Jezus përdoret zakonisht në Dhiatën e Re
(si pasojë se Dhiata e Re isahte shkruar në greqisht), derisa Mesia
përdorej më shumë në Dhiatën e Vjetër (e shkruar në hebraisht).
Jezus vjen nga fjala hebraike Jeshua d.m.th. Shpëtimtar,
kurse shumë gjuhë evropiane kanë një trajtësim të përafërt: Jehoshua
(hebraisht), Iosus (greqisht), Jesus (anglisht,
holandisht), Jezus (gjermanisht, shqip), Isus
(sllavisht) Gezu (italisht) etj. Pra Jezus Krishti do të
thotë Shpëtimtari i Vajosur. Jezusi ka edhe dy tituj mesianik:
Biri i Perëndisë (përfaqëson Perëndinë tek njerëzit) dhe
Biri i Njeriut – përfaqëson njerëzit tek Perëndia (madje në
Dhiatën e Re më shumë e hasim si Biri i Njeriut sesa si Biri i
Perëndisë). Emërtimet e tjera të mundshme na tregojnë atributet e tij,
si: Emanuel, Qengji, Mbret mbi mbretërt, Zot mbi zotër, Alfa e
Omega, Buka e gjallë, Uji i gjallë, Bariu i Mirë, Besniku, I Vërteti,
Ameni, Urtësia, Princi i Paqes, Pajtuesi, Shpenguesi etj.
Sa për kurreshtje është shumë
interesant se si është formësuar togfjalëshi i dikurshëm lindja e
Krishtit në Krishtlindje, dhe nuk ka nodhur me ndonjë rast
tjetër leksikor në gjuhën shqipe e as nuk haset së paku në asnjë gjuhë
evropiane as si formulim.
Paraekzistenca e Krishtit
Sipas doktrinës biblike (judaizmit
dhe krishterimit) Jezus Krishti ekiztonte edhe para se te lindtte para
dy mijë vitesh. Paraekzistenca e Krishtit shpjegohet si një imanencë
hyjnore, si një person, pa fillim dhe pa fund, pra e amshueme, si
personi apo veta e dytë e Trinisë së Shenjtë të Perëndisë. Bibla,
Shkrimi i shenjtë evidenton më shumë se 300 profeci (në Dhiatën e
Vjetër), lidhur me ardhjen e Krishtit në tokë. Gjon Ungjilltari në
shkrimin e tij, vargu i parë, për Jezusin apostrofon: Në fillim
ishte Fjala, dhe Fjala ishte me Perëndinë dhe Fjala ishte Perëndi.
Dhe më vonë: Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne; dhe ne e
soditëm lavdinë e tij, si lavdia e të vetëmlindurit prej Atit, plot
hir e të vërtetë. (Gjn.1:1,14)
A u lind Jezusi më 24 dhjetor?
Jezusi u lind në mënyrë të mrekullueshme para 2003
vitesh në qytezën e Betlehemit (sot në Palestinë) afër Jeruzalemit.
Bibla, nuk ka asnjë të dhënë se
Jezusi ka lindur saktësisht më datën 24 dhjetor. Në fakt tregohet se
Jezusi lindi në kohën e Cezar Augustit, në vitin e shpalljes së
dekretit të regjistrimit të popullsisë dhe në vitin e pestë të
sundimit të Herodit. Pastaj Bibla shpjegon se koha kur ndodhi kjo
lindje jashtë kishte barinj që i ruanin delet në vathët e tyre. Pra,
kështu nuk mund të krijohet bindja se kjo lindje ndodhi në dhjetor,
por studiuesit thonë diku në fillim të marsit, apo fundi i shtatorit.
Jezusi në mes të historisë
Sot gjithë koha historike njësohet
me anë të një akti të veçantë: lindja e Krishtit. Prandaj kështu i
kuptojmë cilësimet e kohës kur thuhet para Krishtit (para lindjes së
Krishtit) dhe pas Krishtit (pas lindjes së Krishtit, ose Anno Domino
A.D.), kurse gjatë kohës së komunizmit jo vetëm tek ne por kudo tek
vendet komuniste ky njësim ishte zëvendësuar me shprehjet e reja: para
erës së re, dhe pas erës së re. Pra Jezusi qëndron në mes të
historisë, në mes të epokave, në mes të erave etj.
Pse u dashtë një lindje e
virgjër?
Krishterimi dhe islamizmi pajtohen
se Jezusi, përkatësisht Isa, është lindur nga Maria (Mejremja) në
mënyrë të vigjërtë. Jezusi pra nuk kishte një baba tokësor, nga mishi
dhe gjaku. Engjëlli Gabriel do t’i jepte Virgjëreshës Mari një porosi
tejet unike në gjithë historinë njerëzore, dhe të papërsëritshme
ndonjëherë, se ajo do ta lindte Birin e Më të Lartit, Birin e
Perëndisë. Këtë mision qiellor kjo vajzë e pranoi me gjithë dëshirë
dhe përulësi, andaj e shpalli ajo vetën të lume ndër të gjitha gratë.
Maria, para 2000 vjetëve u ngjiz përmes Frymës së Shenjtë të
Perëndisë, dhe pastaj u lind Krishti. Pas lindjes së Jezusit, Maria u
martua me Jozefin dhe ajo vazhdoi të ketë fëmijë me të.
Djalli kishte paraprakisht nën
pushtetin e tij çdo person përmes mëkatit. Mëkati sipas Biblës është
trashëgues, ashtu sikur gjenet. Prejardhja e Jezusit është nga gjiri i
Perëndisë, nga qielli, nga drita, atje ku nuk ka fare dyshim e as
ndytësi, andaj edhe lindja e Jezusit u bë përmes një rruge të pastër,
përmes virgjërisë, dhe në këtë mënyrë djalli kurrë nuk mundi ta ketë
pushtetin e tij mëkatnor ndaj Krishtit edhe pse jetonte si njeri.
Lindja virgjër e Jezusit është mister i Perëndisë po ashtu, e ne
s’mund ta kuptojmë plotësisht, edhe pse duket se është absurde. Sepse
është absurde, mister, dhe e pakuptueshme – thoshte Augustini – andaj
më duhet të besoj!
Kush është Krishti?
Sot në botë më shumë se një miliard
e 200 milionë njerëz pranojnë formalisht se e njohin Krishtin. Në
Shkrimin e shenjtë, Bibla, thuhet se Perëndinë askush kurrë nuk e ka
parë, por ai i vetmi që zbriti nga qielli e bëri të njohur atë. Jezusi
gjatë predikimeve të tij turmave u thoshte se Unë dhe Ati jemi Një,
dhe kushdo që më ka parë mua, ka parë edhe Atin Perëndi. Krishti
mori rrugën e shpengimit të njeriut nga paudhësia, nga ligësia dhe
mëkati, dhe gjithë zemërimi i Perëndisë ndaj njerëzimit u zbras në
Krishtin Jezus. Mëkatshmëria e njeriut dhe dashuria e Perëndisë ndaj
tij ishin ato që e dërguan Krishtin që të jetë një sakrifice, kurban,
në kryq. Ai vdiq, dhe pas tri ditëve u ringjall dhe u ngrit në të
djathën e Perëndisë, dhe sërish do të vijë si Mbret për të sunduar
drejtpërdrejt në tokë, dhe kjo përbën gjithë zemrën e ungjillit, apo
Lajmit të Mirë. Krishti ka gjithë autoritetin, gjithë hirin dhe
pushtetin për t’i falur njerëzit dhe për t’i gjykuar ata. Krishti deri
sa jetoi në tokë, 33 vjet, në Jude, ai kishte dy natyra. Natyra e parë
ishte hyjnore (ai nuk mëkatoi asnjëherë – vetëm Zoti nuk mëkaton; ai
ringjalli njerëz nga të vdekurit – vetëm Zoti mund të ringjall; ai
kishte pushtet mbi dukuritë natyrore; ai u fali mëkatet njerëzve –
vetëm Zoti mund t’i falë mëkatet; ishte Biri i Perëndisë jo sipas
lindje spor sipas origjinës dhe të substancës apo qenies së njëjtë).
Natyra e dytë e tij ishte njerëzore (hante, qeshte, flinte, ecte,
ishte biri i Marisë). Andaj duke mos u kuptuar drejt natyra e plotë e
Jezusit atëherë as nuk e njohim atë plotësisht. Asnjë profet apo i
dërguar i Perëndisë nuk mund të krahasohet me Jezusin së paku në
shenjtëri dhe mesazh. Përmes Mojsiut erdhi Ligji i Zotit për
hebrenjtë, kurse përmes Krishtit u derdh hiri i Perëndisë për gjithë
botën. Jezusi është avokati ynë tek Perëndia, dhe Zoti e Shpëtimtari
ynë personal. Krishti erdhi për t’i shkatërruar planet dhe veprat e
Satanës. Ata që e besojnë Jezusin atyre u jep natyrën e tij të re: të
lirë nga mëkati, të gëzuar për drejtësinë dhe mrekullitë e Perëndisë
Atë.
Krishtlindje-Krishtlindjet apo
Kërshëndellat!
Shpeshherë dëgjojmë që të tri këto
variante: Krishtlindja-Krishtlindjet-Kërshëndellat. Trajta
Krishtlindjet, është formë e gabuar pasi që shpreh shumësinë e
emrit lindja. Krishti ka lindur vetëm një herë, mirëpo
pavarësisht se tek shqiptarët Krishtlindja festohet në dy data të
ndryshme (për katolikë dhe protestantë, dhe ortodoksë) sërish nuk ka
baza teologjike as kulturore që të quhet Krishtlindjet. Kurse emri
Kërshëndellat në fakt nuk ka të bëj asgjë me festën e krishterë,
pasi që Kërshëndella është një festë e vjetër pagane ilire-shqiptare
(Buzmi), dhe lidhet me ngjalljen e tokës për ciklin e ri për jetë,
pasi prej 24 dhjetorit toka fillon sërish që t’i afrohet diellit .
Trajta e vetme e drejtë është Krishtlindje ose Krishtlindja.
Kur filloi të festohej
Krishtlindja?
Është për t’u habitur se në
historinë e krishterimit deri në shek. IV nuk ka ndonjë të dhënë
historike se ishte festuar Krishtlindja ndonjëherë, e aq më pak më 24
dhjetor. Në fakt edhe pse disa libra të Biblës ishin shkruar deri në
65 vjet pas vdekjes dhe ringjalljes së Krishtit nuk ka ndonjë evidence
se të krishterët e hershëm e festonin lindjen e Krishtit në çfarëdo
kohe. Por si atëherë filloi festimi i Krishtlindes? Krishterimi deri
në shek. IV pas Krishtit ishte nën persekutim nga romakët dhe
krishterimi i hershëm nuk manifestohej përmes shfaqjeve spektakulare.
Ata festonin në një mënyrë madhështore Pashkën. Mirëpo atëherë kur
Perandoria Romake pranoi krishterimin si religjionin perondorak,
atëherë ndodhi edhe shtetërorizimi, kulturalizimi dhe ideologjizimi i
krishterimit. Ai lloj krishterimi që u zhvillua për katër shekuj si
porosi e Krishtit përfundoi me legalizimin nga romakët. Romakët
fillimisht nuk vërenin tek krishterimi shfaqje universale qoftë ne
rite, qoftë ne shfaqje dhe temparement të besimit, atëherë ata bën atë
ridoktrinalizimin e krishterimit që sot quhet katolicizëm (greq.
catholicos – i përgjithshëm). Më datën 24 dhjetor romakët kishin
festën e tyre kryesore pagane të zotit Dionis, andaj kjo datë u
adoptua në mënyrë që të festohej tani Krishtlindja. Pas disa shekujve
një prift pati idenë që gjatë kësaj feste të shpërndante dhurata
fëmijëve dhe njerëzve të varfër, dhe kjo u shndërrua më vonë në një
traditë të fuqishme saqë sot në botën perëndimore dhuratat kryesore
mes familjarëve dhe të tjerëve ndahen në vigjile të Krishtlindjes,
kurse komunizmi e zëvendësoi këtë imazh duke shpikur Babadimrin për
vitin e ri.
Festimi i Krishtlindjes sot
Të gjithë të krishterët në botë
(katolikët 43%, protestantët 38%, ortodoksët 19%) e festojnë
Krishtlindjen me anë të manifestimeve të ndryshme. Katolikët dhe
protestantët Krishtlidjen e festojnë më datën 24 dhjetor (sipas
kalendarit Gregorian), kurse ortodoksët më 7 janar (sipas kalendarit
julian). Në shumë vende krishtere kjo festë e madhe krshter fillon të
manifestohet diku një muaj më herët e diku edhe tre muaj, dhe
zakonisht rrugët, sheshet, objektet e ndryshme stolisen dhe ndriçohen
tej mase. Shume bredhe zbukurohen, dhe nganjëherë lartësitë e tyre
shkojnë edhe deri në 78 m. P.sh. vetëm në Amerikë, gjatë muajit të
dhjetorit, shpenzohet aq shumë rrymë elektrike sa nuk bëhet gjatë
katër muajve paraprak. Nata e Krishtlindjes në shumicën e vendeve
perëndimore festohet nëpër familje, dhe kjo është e vetmja festë që i
bashkon familjarët pavarësisht se ku gjenden ata. Familjet blejnë
dhurata të shumta dhe i japim njëri-tjetrit. Të burgosurve po ashtu u
ndahen shumë dhurata nga të krishterët. Gjatë dy-tri ditëve të
ardhshme organizohen shërbesa të ndryshme fetare si dhe programe të
tjera festive.
Festimi i Krishtlindjes në
Prishtinë
Është vërejtur se gjatë 13 vjetëve
të fundit Prishtina gjatë Natës së Krishtlindjes feston në mënyra të
ndryshme: rrugët dhe sheshet përmbushen përplot njerëz, vizitohen
objektet fetare krishtere (kisha katolike dhe kishat protestante),
hotelet, restoranet dhe lokalet tjera hoteliere punojnë deri në
mëngjes. Njerëzit pavarësisht prej bindjeve fetare bëhen aktiv dhe
pjesëmarrës të kësaj feste.
Cila është domethënia
përfundimtare e Krishtlindjes?
Krishterimi ka dy festa kryesore,
përveç Krishlindjes është edhe Pashka. Me lindjen, përkatësisht
ardhjen e Krishtit në tokë, do të thotë përmbushja e të gjitha
premtimeve të Perëndisë lidhur me planin e tij hyjnor për shpëtimin e
njerëzimit nga fuqia e mëkatit, nga pushteti i vdekjes, nga forca e
mallkimit dhe e humbjes. Krishtlindja do të thotë Perëndia e zbriti
vetën e tij aq poshtë saqë erdhi si një qenie njerëzore për ta takuar
njeriun. Mesazhi kryesor i Krishtlindjes është se Perëndia u bë njeri.
Perëndia i pakufishëm u kufizua. Zoti i pavdekshëm vdiq. Gjithë këto
ndodhën për shkak të dashurisë së Perëndisë ndaj kryekrijesës së tij –
njeriut. Zoti, sipas Biblës, kurrë nuk deshi që fati ynë si njerëz të
përfundojë në duart e Satanit. Krishtlindja është fillimi i ri për një
histori të re të predistinuar për secilin person veç e veç. Ashtu si
ka lindur Krishti për shpëtimin tonë, ashtu ne duhet rilindur në
Krishtin, duke besuar në të, për të shpëtuar ne. Kush ka Krishtin ka
jetën, dhe edhe nëse vdes ai do të jetojë përgjithmonë.