2 i Mbretërve - II Kings

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21 22 23 24 25

Kapitull 4

1 Një grua, bashkëshortja e një dishepulli të profetëve, i thirri Eliseut duke i thënë: "Shërbëtori yt, burri im, vdiq, dhe ti e di që shërbëtori yt kishte frikë nga Zoti; tani huadhënësi ka ardhur
2 Eliseu i tha: "Ç'duhet të bëj për ty? Më thuaj, çfarë ke në shtëpi?". Ajo u përgjigj: Shërbëtorja jote nuk ka asgjë në shtëpi përveç një ene të vogël me vaj".
3 Atëherë ai i tha: "Shko dhe kërko hua nga gjithë fqinjët e tu disa enë boshe; dhe mos u kërko pak.
4 Kur të kthehesh, mbyll portën prapa teje dhe bijve të tu, pastaj derdh vajin në tërë enët, duke vënë mënjanë ato që do të mbushen".
5 Ajo u largua prej tij dhe mbylli portën pas vetes dhe të bijve; këta i sillnin enët dhe ajo derdhte vajin në to.
6 Kur enët u mbushën, ajo i tha të birit: "Sillmë edhe një enë". Por ai iu përgjigj: "Nuk ka më enë". Dhe vaji u ndal.
7 Atëherë ajo shkoi t'ia njoftojë ngjarjen njeriut të Perëndisë, që i tha: "Shko të shesësh vajin dhe paguaj borxhin tënd; me atë që do teprojë, ke për të jetuar ti dhe bijtë e tu".
8 Ndodhi që një ditë Eliseu shkoi në Shunem, ku banonte një grua e pasur, dhe kjo e detyroi të hante pak ushqim. Kështu sa herë që ai kalonte andej, shkonte të hante tek ajo.
9 Ajo i tha burrit të saj: "Ja, unë jam e sigurt që ai që kalon gjithnjë te neve është një njeri i shenjtë i Perëndisë.
10 Të lutem, të ndërtojmë një dhomë të vogël me mur në katin e sipërm dhe të vëmë për të një shtrat, një tryezë, një karrige dhe një shandan; kështu, kur të vijë te ne, mund të rrijë në atë dhomë".
11 Një ditë që Eliseu po kalonte andej shkoi në dhomën lart dhe u shtri.
12 Pastaj i tha Gehazit, shërbëtorit të tij: "Thirre këtë Shunamite". Ai e thirri dhe ajo u paraqit përpara tij.
13 Pastaj Eliseu i tha shërbëtorit të tij: "I thuaj kështu: "Ja, ti ke treguar një kujdes të veçantë për ne; çfarë mund të bëj për ty? A dëshiron t'i them diçka në emrin tënd mbretit apo komandantit të ushtrisë?"". Ajo u përgjigj:
14 "Unë jetoj në mes të popullit tim". Atëherë Eliseu i tha: "Çfarë mund të bëj për të?". Gehazi u përgjigj: "Të thuash të vërtetën, ajo nuk ka fëmijë dhe burri i saj është i vjetër".
15 Eliseu i tha: "Thirre!". Ai e thirri dhe ajo u ndal te porta.
16 Atëherë Eliseu i tha: "Në këtë stinë, mot, ti do të përqafosh një bir". Ajo u përgjigj: "Jo, imzot; o njeri i Perëndisë, mos e gënje shërbëtoren tënde!".
17 Gruaja mbeti me barrë dhe lindi një djalë vitin tjetër, në po atë stinë siç i kishte thënë Eliseu.
18 Fëmija u rrit; një ditë që kishte vajtur tek i ati bashkë me korrësit,
19 i tha të atit: "Koka ime, koka ime!". I ati urdhëroi shërbëtorin e tij: "Çoje tek e ëma!".
20 Ky e mori dhe e çoi tek e ëma. Fëmija qëndroi në prehrin e saj deri në mesditë, pastaj vdiq.
21 Atëherë ajo u ngjit, u shtri në shtratin e njeriut të Perëndisë, mbylli portën prapa tij dhe doli.
22 Pastaj thirri burrin e saj dhe i tha: "Të lutem, më dërgo një nga shërbëtorët e tu dhe një gomare; po vrapoj te njeriu i Perëndisë dhe po kthehem".
23 Ai e pyeti: "Pse dëshiron të shkosh tek ai pikërisht sot? Nuk është as dita e hënës së re, as e shtuna". Ajo u përgjigj: "Çdo gjë do të shkojë mbarë!".
24 Pastaj vuri t'i shalojnë gomaren dhe urdhroi shërbëtorin e vet: "Më udhëhiq dhe shko përpara; mos e ngadalëso hapin për mua, veçse po ta urdhërova unë".
25 Kështu ajo u nis dhe shkoi te njeriu i Perëndisë, në malin Karmel. Sa e pa njeriu i Perëndisë nga larg, i tha Gehazit, shërbëtorit të tij: "Ja, Shunamitja!
26 Të lutem, shko ta takosh dhe i thuaj: "A je mirë? A është mirë burri yt? Dhe fëmija a është mirë?"". Ajo u përgjigj: "Janë mirë".
27 Kur arriti te njeriu i Perëndisë në mal, i përqafoi këmbët. Gehazi u afrua për ta larguar, por njeriu i Perëndisë i tha: "Lëre të qetë, sepse e ka shpirtin të trishtuar, dhe Zoti ma ka fshehur dhe nuk ma ka treguar".
28 Ajo tha: "A i kisha kërkuar, vallë një bir zotit tim? A nuk të kisha thënë vallë: "Mos më gënje"?".
29 Atëherë Eliseu i tha Gehazit: "Ngjeshe brezin, merr në dorë bastunin tim dhe nisu. Në qoftë se takon ndonjë njeri, mos e përshëndet; dhe në qoftë se dikush të përshëndet, mos iu përgjigj: do ta vendosësh bastunin tim mbi fytyrën e fëmijës".
30 E ëma e fëmijës i tha Eliseut: "Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron dhe që edhe ti rron, unë nuk do të të lë". Kështu Eliseu u ngrit dhe i shkoi pas.
31 Gehazi i kishte paraprirë dhe kishte vënë bastunin mbi fytyrën e fëmijës, por nuk pati as zë as përgjigje. Prandaj ai u kthye të takohet me Eliseun dhe i tregoi atë që i kishte ndodhur, duke i thënë: "Fëmija nuk u zgjua".
32 Kur Eliseu hyri në shtëpi, e pa fëmijën të vdekur dhe të shtrirë në shtratin e tij.
33 Atrëherë ai hyri, mbylli derën pas atyre të dyve dhe iu lut Zotit.
34 Pastaj hipi mbi shtratin dhe u shtri mbi fëmijën; vuri gojën e vet mbi gojën e tij, duart e veta mbi duart e tij; u shtri mbi të dhe mishi i fëmijës filloi të ngrohet.
35 Pastaj Eliseu u tërhoq prapa dhe shkoi sa andej e këtej nëpër shtëpi; pas kësaj u ngjit përsëri dhe u shtri mbi fëmijën; fëmija teshtiu shtatë herë dhe hapi sytë.
36 Atëherë ai thirri Gehazin dhe i tha: "Thirre Shunamiten". Ai e thirri; kur ajo arriti tek Eliseu, ky i tha: "Merre djalin tënd".
37 Ajo hyri dhe u hosh në këmbët e tij, duke u shtrirë për tokë; pastaj mori djalin e saj dhe doli.
38 Pasta Eliseu u kthye në Gilgal; kishte rënë zia e bukës në vend. Ndërsa dishepujt e profetëve ishin ulur përpara tij, ai i tha shërbëtorit të tij: "Vër mbi zjarr kusinë e madhe dhe përgatit një supë për dishepujt e profetit".
39 Njeri prej tyre që kishte dalë ndër fusha për të mbledhur barëra, gjeti një bimë të egër kacavarëse, prej së cilës mblodhi kolokuintidet dhe mbushi veshjen e tij me to; pastaj u kthye dhe i copëtoi në kusinë e supës, megjithëse nuk e dinte se ç'ishin.
40 Pastaj ua zbrazën supën burrave që ta hanin, por ata e provuan dhe thanë: "Vdekja është në kusi, o njeri i Perëndisë", dhe nuk mundën ta hanë.
41 Eliseu urdhëroi atëherë: "Më sillni miell". E hodhi në kusi, pastaj tha: "Ua zbrazni njerëzve që ta hanë". Dhe nuk kishte më asgjë të keqe në kusi.
42 Erdhi pastaj një njeri nga Baal-Shalila, që i solli njeriut të Perëndisë bukë nga korrja e parë; njëzet bukë prej elbi dhe disa kallinj gruri. Eliseu tha: "Jepjua njerëzve që ta hanë".
43 Por shërbëtori i tij u përgjigj: "Si mund ta shtroj këtë përpara njëqind vetave?". Eliseu urdhëroi përsëri: "Jepjua njerëzve që ta hanë, sepse kështu thotë Zoti: "Do të hanë dhe ka për të tepruar"".
44 Kështu ai e shtroi para njerëzve, që hëngrën dhe teproi sipas fjalës së Zotit.