ROMAKEVE

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16

Kapitull 3

1 Cila është, pra, përparësia e Judeut, ose cila është dobia e rrethprerjes?
2 E madhe në çdo mënyrë; para së gjithash sepse orakujt e Perëndisë iu besuan atyre.
3 Ç'të thuash atëherë? Në qoftë se disa nuk besuan, mosbesimi i tyre do ta anulojë, vallë, besnikërinë e Perëndisë?
4 Kurrë mos qoftë; përkundrazi, qoftë Perëndia i vërtetë dhe çdo njeri gënjeshtar, siç është shkruar: ''Që ti të shfajësohesh në fjalët e tua dhe të ngadhënjesh kur të gjykohesh''.
5 Po në qoftë se padrejtësia jonë e vë në pah drejtësinë e Perëndisë, ç'do të themi? Perëndia qënka i padrejtë kur shfren zemërimin e tij? (Unë flas si njeri).
6 Kurrë mos qoftë! Sepse atëherë, si do ta gjykonte Zoti botën?
7 Prandaj në qoftë se me anë të gënjeshtrës sime e vërteta e Perëndisë e lartëson lavdinë e tij, përse unë gjykohem akoma si mëkatar?
8 E përse të mos themi si disa që, duke shpifur, pohojnë se ne themi: ''Të bëjmë të keqen që të vijë e mira''? Dënimi i këtyre është i drejtë.
9 E çfarë pra? A kemi ne ndonjë epërsi? Aspak! E kemi treguar në fakt që më përpara se si Judenjtë ashtu edhe Grekët janë të gjithë nën mëkat,
10 siç është shkruar: ''Nuk ka asnjeri të drejtë, as edhe një.
11 Nuk ka asnjeri që të kuptojë, nuk ka asnjeri që të kërkojë Perëndinë.
12 Të gjithë kanë dalë nga udha e tij, që të gjithë janë bërë të padobishëm, nuk ka asnjë që të bëjë të mirën, as edhe një.
13 Gryka e tyre është një varr i hapur, me gjuhët e tyre kanë thurur mashtrime, ka helm gjarpërinjsh nën buzët e tyre;
14 goja e tyre është plot mallkim dhe hidhësi;
15 këmbët e tyre janë të shpejta për të derdhur gjak;
16 në udhët e tyre ka rrënim dhe gjëmë,
17 dhe nuk e kanë njohur udhën e paqes;
18 nuk ka druajtja e Perëndisë para syve të tyre''.
19 Por ne e dimë se gjithçka që thotë ligji, e thotë për ata që janë nën ligj, me qëllim që çdo gojë të heshtë dhe gjithë bota t'i jetë nënshtruar gjykimit të Perëndisë,
20 sepse asnjë mish nuk do të shfajësohet para tij për veprat e ligjit; me anë të ligjit në fakt arrihet njohja e mëkatit.
21 Por tani, pavarësisht nga ligji, është manifestuar drejtësia e Perëndisë, për të cilën dëshmojnë ligji dhe profetët,
22 madje drejtësia e Perëndisë nëpërmjet besimit në Jezu Krishtin për të gjithë e mbi të gjithë ata që besojnë, sepse nuk ka dallim;
23 sepse të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë,
24 por janë shfajësuar falas me anë të hirit të tij, nëpërmjet shpengimit që është në Krishtin Jezus.
25 Atë ka paracaktuar Perëndia për të bërë shlyerjen nëpërmjet besimit në gjakun e tij, për të treguar kështu drejtësinë e tij për faljen e mëkateve, që janë kryer më parë gjatë kohës së durimit të Perëndisë,
26 për të treguar drejtësinë e tij në kohën e tanishme, me qëllim që ai të jetë i drejtë dhe shfajësues i atij që ka besimin e Jezusit.
27 Ku është, pra, mburrja? Éshtë përjashtuar. Nga cili ligj? Ai i veprave? Jo, por nga ligji i besimit.
28 Ne, pra, konkludojmë se njeriu është i shfajësuar nëpërmjet besimit pa veprat e ligjit.
29 A është vallë Perëndia vetëm Perëndia i Judenjve? A nuk është edhe i johebrenjve? Sigurisht, është edhe Perëndia i johebrenjve.
30 Sepse ka vetëm një Perëndi, që do të shfajësojë të rrethprerin nëpërmjet besimit, dhe të parrethprerin me anë të besimit.
31 Anulojmë ne, pra, ligjin nëpërmjet besimit? Kështu mos qoftë; përkundrazi e forcojmë ligjin.