Home » Apologjia » Hyjnia e Krishtit!

Hyjnia e Krishtit!

Nga Dr. Peter Kreeft
Hynia e Krishtit Doktrina e hyjnisë së Krishtit është në qendër të doktrinës së krishterë, sepse ajo është si një çelës që i hap të gjitha dyert e tjera. Të krishterët nuk kanë testuar çdo mësim të Krishtit të marra nga Bibla dhe kisha, por i besojnë ato të gjitha. Për shkak se Krishti është Zot, Ai është i besueshëm dhe i pagabueshëm në çdo gjë që thotë, madje duke e ngritur zërin edhe për gjërat e rënda si vuajtja dhe varfëria, rreziku i divorcit, duke i dhënë kishës së tij autoritetin për të mësuar dhe falur mëkatet në emrin e Tij; duke i paralajmëruar për ferrin (shumë shpesh dhe shumë seriozisht); duke themeluar sakramentin e të ngrënit të trupit të Tij. Ne shpesh harrojmë sesa shumë “thënie të rënda” na mësoi Ai!

Kur predikuesit e parë të krishterë filluan të jepnin arsye ndaj jobesimtarëve, për besimin të cilin ata jetonin, doktrina e hyjnisë së Krishtit nisi të sulmohej në mënyrë natyrale, pasi ishte pothuajse e pabesueshme për johebrenjtë, po aq sa ishte skandaloze për hebrenjtë. Ideja se ky njeri, i cili lindi nga mitra e gruas dhe vdiq në kryq; pësoi lodhje dhe ndjeu uri; u zemërua dhe u shqetësua; qau mbi varrin e shokut të tij; që u bë pis deri tek thonjtë e tij; ideja që ky, pikërisht ky njeri të thirrej Zot, ishte një nga idetë më të çmendura, më të pabesueshme, më të mahnitshme që hyri në mendjet e njerëzve në mbarë historinë botërore.

Argumenti me të cilin mbroheshin folësit e hershëm për doktrinën që në dukje ishte e pakuptimtë, është ai më klasiku. C. S. Lewis e përdor atë shpesh, si p.sh. tek “Mere Christianity” (“Thjesht Krishtërim”), që është libri që bindi Chuck Colson (dhe mijëra të tjerë). Ai është argumenti më i rëndësishëm në apologjinë e krishterë. Me qëllim që një jobesimtar të pranojë këtë argument (që Krishti është Zot), çdo gjë tjetër që ka të bëjë me besimin rrjedh në mënyrë natyrore, jo vetëm në mënyrë intelektuale (mësimet e Krishtit i bie që të jenë të gjitha të vërteta), por gjithashtu edhe personale (nëse Krishti është Zot, Ai është gjithashtu Zoti dhe shpëtimtari juaj i plotë).

Argumenti është shumë i thjeshtë: Krishti ose ishte Zot ose ishte një njeri i keq.

Jobesimtarët shpesh thonë që ai ishte një njeri i mirë, jo i keq, një mësues i mrekullueshëm i moralit, i urtë, filozof, i moralshëm, profet, jo-kriminel, shkurt, një njeri që nuk e meritonte të kryqëzohej. Por sipas logjikës dhe arsyes së thjeshtë, e vetmja gjë që Jezusi nuk mund të ishte, është që Ai të ishte vetëm një njeri i mirë. E themi këtë sepse Ai pohoi se ishte Perwndi. Ai tha: “përpara se të ekzistonte Abrahami, “Unë jam”; një gjë e cila është krejt në kundërshtim me atë që do të bënte një hebre, sepse “Unë Jam” është emri personal i Zotit, që vetë Zoti ia shqiptoi Moisiut, tek ferrishtja që digjej. Jezusi dëshironte që çdokush ta besonte që Ai ishte Zot. Ai donte që njerëzit ta adhuronin Atë. Ai pohoi se mund t’ua falte mëkatet të gjithë personave, edhe kur këto ishin kryer ndaj të tjerëve. (Kush mund ta bëjë këtë përveç Perëndisë, Atij që ka marrë mbi vete çdo mëkat dhe që u fye me çdo sharje?)

Tani çfarë duhet të mendojmë mbi një person që shkon andej–këtej duke bërë sot këto deklarata? Sigurisht që nuk do mendojmë se është i zgjuar apo i urtë. Janë vetëm dy mundësi: ai ose thotë të vërtetën ose jo. Nëse ai flet të vërtetën, ai është Zoti dhe çështja është e mbyllur. Ne mund ta besojmë Atë dhe ta adhurojmë. Nëse ai nuk thotë të vërtetën, ai është njeri i zakonshëm. Por një njeri i zakonshëm, i cili do që ju ta adhuroni si Zot, me siguri që nuk është një njeri normal. Në të vërtetë, ai është një njeri shumë i keq, ose moralisht ose intelektualisht. Nëse ai e di që nuk është Zoti, atëherë ai është moralisht i keq, një gënjeshtar i bezdisshëm që ju mashtron me qëllim që t’ju bëjë blasfemues. Nëse ai nuk e di që nuk është Zoti, nëse ai me sinqeritet mendon se është Zoti, atëherë ai është mendërisht jo normal, do të thoshim se është i sëmurë psikik.

Masa e marrëzisë suaj është masa e boshllëkut midis asaj çfarë ti mendon se je, e nga ana tjetër, asaj që je në të vërtetë. Nëse unë mendoj se jam filozofi më i mirë në Amerikë, unë jam vetëm një arrogant i trashë: nëse unë mendoj se jam Napoleoni me sa duket jam jashtë orbite; nëse unë mendoj se jam flutur, atëherë mundet të thuhet se unë sapo i kam hipur anijes që të çon në ishullin e të çmendurve. Por, nëse unë mendoj se jam Zoti, jam akoma edhe më i çmendur, sepse distanca midis diçkaje të kufizuar dhe diçkaje të pakufizuar siç është Zoti, është akoma edhe më e madhe se sa distanca midis dy gjërave të kufizuara, si p.sh. mes një njeriu dhe një fluture.

Josh McDowell e përmblodhi argumentin thjeshtë dhe dukshëm në trilemën: “Zot, gënjeshtar ose i çmendur?”. Këto janë të vetmet alternativa. Epo, atëherë përse të mos jetë gënjeshtar ose i çmendur? Por pothuajse asnjë njeri që i ka lexuar Ungjijtë nuk e ka konsideruar seriozisht këtë alternativë. Shpëtimi, maturia, urtësia njerëzore, tërheqja e Jezusit, rrjedhin nga Ungjijtë me një forcë të pashtershme, tek cilido, por sidomos tek lexuesit më paragjykues dhe të vështirë.

Jezusi, ka pikërisht tre cilësi që të çmendurit dhe gënjeshtarët nuk i kanë edhe s’mundet t’i kenë:

  1. Urtësia e tij praktike, aftësia për të lexuar zemrat njerëzore, për të kuptuar njerëzit dhe pyetjet e pashprehura prapa fjalëve të tyre, aftësia e Tij për të shëruar shpirtrat e njerëzve aq mirë sa edhe trupat e tyre.
  2. Dashuria e tij e thellë fitimtare, dhembshuria e tij plot pasion, aftësia e tij për t’i tërhequr njerëzit, duke i bërë të ndihen mirë dhe të falur, autoriteti i Tij “jo si skribët”, dhe mbi të gjitha:
  3. Aftësia për t’i mahnitur njerëzit, paparashikueshmëria, kreativiteti i Tij. Gënjeshtarët dhe të çmendurit janë të gjithë kaq budallenj dhe të parashikueshëm. Asnjëri që njeh edhe Ungjijtë edhe qeniet njerëzore, nuk mund ta marrë seriozisht në konsideratë faktin që Jezusi mund të ishte mashtrues, i çmendur, apo një njeri i keq.

Jo, jobesimtari pothuajse gjithmonë beson se Jezusi ishte një njeri i mirë, profet dhe i urtë. Mirë atëherë, nëse Ai ishte i urtë, ju mund ta besoni Atë dhe gjërat thelbësore që Ai tha. Dhe gjëja më thelbësore që Ai tha është që: Ai është shpëtimtari hyjnor i botës dhe që ju duhet të shkoni tek Ai për të marrë shpëtimin. Nëse Ai është i urtë, ju duhet t’i pranoni mësimet e Tij thelbësore, si të vërteta. Nëse mësimet e Tij janë të rreme, atëherë dalim në konkluzionin se Ai nuk është i urtë.

Fuqia e këtij argumenti është që ky nuk është vetëm një logjikim rreth koncepteve: është rreth Jezusit.  Ai (argumenti) i fton njerëzit për të lexuar Ungjijtë dhe për ta njohur këtë njeri. Premisë e këtij argumenti është karakteri i Jezusit, natyra e Tij njerëzore. Argumenti i Tij është me këmbë në tokë, por të çon në qiell, ashtu sikurse shkallët e Jakobit, (Zanafilla 28:12 dhe Gjoni 1:51 për të cilat Jezusi tha se nënkuptonin atë vetë). Çdo shkallë ndjek tjetrën dhe ato mbahen sëbashku. Argumenti është logjikisht i fortë, s’ka zgjidhje tjetër.

Atëherë, çfarë bëjnë njerëzit kur përballen me këtë argument? Zakonisht ata thjesht shprehin paragjykimet e tyre: “Oh, thjesht nuk mund ta besoj këtë!” (por nëse kjo është vërtetuar që është e saktë dhe e vërtetë, ju duhet ta besoni, nëse po e kërkoni të vërtetën sinqerisht).

Ndonjëherë, ata largohen, ashtu sikurse shumë nga bashkëkohësit e Jezusit, që habiteshin, tundnin kokat dhe mendoheshin. Ndoshta ky është rezultati më i mirë që mund të shpresoni. Fara është mbjellë, Zoti do kujdeset për rritjen e saj.

——————–

Shenim: Te gjithe te drejtat e perkasin autorit.

Artikulli orgjinal ne anglisht: The Divinity of Christ

Short URL: http://www.albkristian.com/cms/?p=455

Posted by on Jan 30 2008. Filed under Apologjia. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

Leave a Reply

Arkiva

Shënim për komentet që shkruhen

Njoftojmë të gjithë vizitorët tanë se duke filluar që nga ky moment nuk do lejojmë më komente të cilat nuk kanë të bëjnë direkt me temën e shkrimit nën të cilin ato shkruhen.
Thënën ndryshe, nëse komentet tuaja nuk përputhen me titullin dhe përmbajtjen e shkrimit, atëhere komentet e shkruara aty nuk do te aprovohen.
- Administratori -

Lexoni Biblën Online

Lexo Biblen online (foto)

Regent University

Duke klikuar linkun e mësipërm do gjeni informacion për programet MBA dhe MOL që ofrohen për shqiptarët.

Reklamë

Dhjata e Re (Versioni audio mp3)

Tani mund të porosisni Dhiatën e Re, lexuar nga Saimir Braho, përgatitur në format Audio (MP3). Teksti është i Shoqërisë Biblike, versioni “Së bashku”, përkthyer prej origjinalit.

© 2012 albKristian.com. All Rights Reserved. Log in - Designed by Gabfire Themes